“Mbështetje e Qëndrueshme e Shoqërisë Civile Mjedisore - SpECIES” në Kosovë

“Mbështetje e Qëndrueshme të Shoqërisë Civile Mjedisore - SpECIES” në Kosovë

Tetor 04, 2017 | Nga NAR

Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar përmes Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) - zyra në Kosovë u ofron mbështetje organizatave  të shoqërisë civile mjedisore në Kosovë

 

Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar përmes Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) - zyra në Kosovë u ofron mbështetje organizatave  të shoqërisë civile mjedisore në Kosovë

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) - Zyra në Kosovë, me përkrahjen financiare të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar – Sida, përfaqësuar nga Ambasada Suedeze në Prishtinë, gjatë katër viteve të ardhshme do të zbatojë programin për “Mbështetjen e Qëndrueshme të Shoqërisë Civile Mjedisore - SpECIES” në Kosovë.


Qëllimi kryesor i programit SpECIES është të fuqizojë kapacitetet dhe rolin e shoqërisë civile mjedisore në Kosovë përmes ofrimit të mbështetjes në artikulimin e nevojave, zhvillimin e partneritetit dhe krijimit të rrjetit/ grupeve të organizatave të shoqërisë civile mjedisore, të cilat janë në gjendje të adresojnë në mënyrë efektive prioritetet mjedisore drejt arritjes së zbatimit të Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm. Mbështetja organizatave të shoqërisë civile e ofruar përmes programit SpECIES do të fokusohet në sektorët vijues: ajri, uji dhe mbeturinat.

Përmes këtij programi, organizata e shoqërisë civile mjedisore mund të përfitojnë në forma të ndryshme përmes tre komponentëve kryesor të këtij programi:

Komponenta I: Ngritja e kapaciteteve, zhvillimi dhe shkëmbimi

Përmes kësaj komponente mëtohet të fuqizohen organizatat e shoqërisë civile për ndërmarrjen e veprimeve për të zbatuar të drejtën për mjedis të shëndetshëm dhe për t'i bërë ato të ndikojnë te politikë-bërësit dhe në vendimmarrje. Ngritja e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile do të realizohet nëpërmjet një serie pakosh trajnimi për ato organizata që janë aktive dhe të shquara në artikulimin e çështjeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Komponenta II: Rrjetëzimi dhe partneriteti

Përmes kësaj komponentë synohet që të inkurajohen organizatat e shoqërisë civile të punojnë së bashku me të gjitha palët e interesit për arritje të qëllimeve të përbashkëta. Duke krijuar partneritete të reja, organizatat e shoqërisë civile mund të fitojnë qasje në burime informacioni, ekspertizë dhe shkathtësi të reja, duke përfshirë edhe financimin iniciativave të ndryshme mjedisore. Për më tepër, partneritetet dhe rrjetëzimi mund të jenë një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar organizatat e shoqërisë civile të ndërtojnë vizibilitetin dhe kapacitetin e tyre, veçanërisht ato që janë më të dobëta ose të sapoformuara.

 

Komponenta III: Mekanizmi i përkrahjes përmes granteve

Do të ketë tri lloje të granteve përgjatë rrjedhës së programit:

  • Grantet institucionale targetojnë organizatat e shoqërisë civile më të dobëta dhe ato të sapoformuara, për ti mbështetur në hartimin e planeve të tyre zhvillimore për të qenë në gjendje të mbështesin nevojat e komuniteteve.
  • Grantet për krijim të partneritetit do të targetojnë organizatat e shoqërisë civile mjedisore më të forta, për ti mbështetur në ofrimin e zgjidhjeve konkrete mjedisore në nivel lokal; përparsi do të kenë veprimet te cilat ndihmojnë komunitetet në zbatimin e projekteve prioritare të identifikuara në Planet Lokale të Veprimit në Mjedis.
  • Grante për të zbatuar veprime të integruara përmes koalicionit të organizatave të përzgjedhura dhe të konsoliduara të shoqërisë civile do të targetojë sektorët: ajrin, ujin dhe mbeturinat. Përmes kësaj kategorie të granteve do të mbështeten aktivitete të rëndësishme në nivel kombëtar, si: proceset e pjesëmarrjes në hartimin ligjeve, strategjive, në proceset e monitorimit dhe zbatimit të ligjeve, pjesëmarrjes së publikut në dialog dhe ndikimit në proceset e vendimmarrjes.